Secondary Adv

Tirana ndër qytetet me indeksin më të ulët të kujdesit shëndetësor në Evropë

Kryeqyteti renditet i 25-ti nga 26 qytete sipas indeksit të Numbeo.

Tirana pozicionohet ndër qytetet me nivelin më të ulët të cilësisë së kujdesit shëndetësor në Evropë, sipas të dhënave të publikuara nga platforma ndërkombëtare Numbeo. Kryeqyteti shqiptar renditet në vendin e 25-të nga 26 qytete të analizuara, me një indeks prej 47.3, duke lënë pas vetëm Banja Lukën me 46.1. Diferenca me qytetet kryesore evropiane është e theksuar, pasi Madridi kryeson me 79.2, i ndjekur nga Porto me 78.8, Valencia me 77.7 dhe Barcelona me 76.7.

 

Rajoni në pozita më të favorshme

Në krahasim me rajonin, Tirana paraqitet në nivele më të ulëta se disa kryeqytete dhe qytete të Ballkanit. Zagrebi ka një indeks 64.9, Ljubljana 66.6 dhe Spliti 68.4, ndërsa Sarajeva me 59.1, Athina me 58.5 dhe Selaniku me 57.5 qëndrojnë dukshëm mbi nivelin e Tiranës. Edhe Shkupi me 55.0, Beogradi me 53.1 dhe Novi Sadi me 50.2 paraqiten më lart në këtë renditje.

 

Sfidat e sistemit shëndetësor

Pozicioni i ulët reflekton sfidat e sistemit shëndetësor shqiptar, që përballet me kufizime në financim, infrastrukturë dhe burime njerëzore. Shqipëria shpenzon më pak për shëndetësinë në raport me PBB-në krahasuar me shumicën e vendeve evropiane, ndërsa mungesa e stafit dhe emigrimi i mjekëve e infermierëve drejt Bashkimit Evropian vijon të jetë problem. Në vitet e fundit, sektori privat është zgjeruar ndjeshëm, sidomos në Tiranë, duke ofruar shërbime më moderne, por me kosto më të lartë për qytetarët.

 

Perceptimi dhe besimi i qytetarëve

Indeksi i Numbeo pasqyron cilësinë e perceptuar të shërbimeve, kohën e pritjes, aksesin në trajtim dhe nivelin e besimit të qytetarëve tek sistemi shëndetësor. Renditja e Tiranës në fund të listës tregon se, pavarësisht investimeve të viteve të fundit në disa spitale dhe klinika, sistemi mbetet ende larg standardeve të shumicës së vendeve të rajonit dhe Evropës.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat